
Pas Prishtinës e Hagës, OVL UÇK-ja do të mbajë protestë në Tiranë më 17 tetor
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se më 17 tetor, nga ora 17:00, do të mbahet protestë paqësore në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, me mesazhin: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”. Këtë e bëri të ditur nga Tirana vetë kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media.
“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, pas protestave të mbajtura në Prishtinë e Holandë, kanë vendosur që protestën e radhës ta organizojnë në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë”, ishin fjalët e para të Gucatit në këtë konferencë, i cili tutje u bëri thirrje të gjithëve që ta mbështesin këtë protestë të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
“Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre. Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, tha Gucati.
Ai i ka shprehur mirënjohje Qeverisë së shtetit shqiptar për, siç tha, kujdesin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj kësaj çështjeje madhore kombëtare.
“Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati. /rtk