Nesër do të protestohet në Prishtinë për ish-policin Arbnor Spahiu, që u arrestua në Serbi

Nesër do të protestohet në Prishtinë për ish-policin Arbnor Spahiu, që u arrestua në Serbi

Aktuale September 29, 2025 - 09:55

Familja e ish-policit Arbnor Spahiu, i cili po mbahet padrejtësisht në Serbi, ka bërë thirrje për protestë paqësore.

Është njoftuar se protesta do të mbahet të martën, më 30 shtator të vitit 2025, në sheshin “Skënderbeu”, me fillim nga ora 12:00.

Protesta do të mbahet me moton “Liri për Arbnorin – Drejtësi Tani”.

“Familja e policit Arbnor Spahiu, i mbajtur padrejtësisht në Serbi, kërkon mbështetjen e të gjithëve. Bashkohuni për të kërkuar liri të menjëhershme të tij”, shkruhet në njoftimin e familjes.

Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Ai po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori kur Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij gjoja për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Me ligjin në Serbi vrasja e rëndë dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burgim ose me burgim të përjetshëm, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Të nderuara media,

Në emër të familjes Spahiu ju njoftojmë se nesër, më 30 shtator 2025, nga ora 12:00, do të organizohet një protestë paqësore në mbështetje të ish-policit Arbnor Spahiu, i cili po mbahet padrejtësisht në paraburgim në Serbi.

E martë, 30 shtator 2025

Ora 12:00

Sheshi “Skënderbeu”

Kjo protestë ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë, me të cilën Arbnori dhe familja e tij po përballen tash e katër muaj.

Ju lusim që, në emër të familjes, ta shpërndani këtë thirrje (foto bashkëngjitur) dhe ta ndiqni ngjarjen.

Me respekt,

Familja Spahiu. /Zëri

Image