
Nesër skadon masa e Kushtetueses, e paqartë se ç’do të ndodhë me Kuvendin dhe formimin e qeverisë
Nesër (30 shtator) skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka ndaluar përkohësisht çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo procedurë që lidhet me formimin e qeverisë së re.
Kjo masë ishte marrë më 5 shtator, pas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit, përkatësisht votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli Kuvendin si të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Kushtetuesja tha se masën, që do të jetë në fuqi deri sa ajo të nxjerrë një aktgjykim, e vendosi në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, duke e arsyetuar me “evitimin e rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme”.
Sipas parashikimeve kushtetuese, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, institucionet e reja duhet të formohen brenda 30 ditëve afat ky që është tejzgjatur marrë parasysh se zgjedhjet u mbajtën në shkurt të këtij viti.

Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë pas skadimit të kësaj mase të përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja.
Gjykata nuk ka dhënë ndonjë vendim përfundimtar, as nuk ka sqaruar nëse pas përfundimit të masës do të mundë të rifillojnë procedurat në Kuvend apo nëse do të ketë një vendim që mund të ndryshojë rrjedhën e deritanishme.
Njohës të çështjeve kushtetuese thonë se ka disa skenarë të mundshëm: Gjykata të vendosë se veprimet e Kuvendit kanë qenë në përputhje me Kushtetutën dhe të lejojë vazhdimin e procesit, mund të kërkojë përsëritje të votimit të nënkryetarëve, sipas praktikës së mëparshme (me një votim të përbashkët për të gjithë) ose edhe të konstatojë shkelje procedurale që e bëjnë të pavlefshëm procesin deri më tani.
Në çdo rast, mosqartësia aktuale ka krijuar një vakum institucional që po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin demokratik të vendit dhe në procesin e formimit të institucioneve të reja.
Kjo është hera e parë në vitet e fundit që ka ndodhur një situatë e tillë, duke e bërë vendimin final të Gjykatës jo vetëm të rëndësishëm për këtë rast, por edhe precedent për të ardhmen. /Telegrafi