
Ekspertët e sigurisë: Provokime hibride nga Serbia, por pa rrezik serioz
Në fund të shtatorit 2025, disa vende evropiane kanë raportuar një rritje të paraqitjes së dronëve të paidentifikuar, kryesisht pranë aeroporteve, bazave ushtarake dhe infrastrukturës kritike.
Këto incidente, të përqendruara në Evropën Veriore dhe Lindore, kanë çuar në mbyllje të përkohshme të aeroporteve, ndërprerje të fluturimeve dhe alarme të larta sigurie.
Zyrtarët i përshkruajnë si sulme të mundshme "hibride", me dyshime që drejtohen drejt përfshirjes ruse mes tensioneve gjeopolitike të lidhura me konfliktin në Ukrainë.
Nuk janë raportuar sulme të konfirmuara, por ngjarjet kanë nxitur reagime urgjente nga BE-ja dhe NATO-ja.
Në Danimarkë dronët janë raportuar mbi Aeroportin e Kopenhagës , Aeroportin e Oslos, Aalborg si dhe në bazën Ajrore Daneze Karup.
Në Poloni Dronë të shumtë rusë Shahed hynë në hapësirën ajrore më 9?10 shtator, duke nxitur ngritjen e avionëve dhe thirrjen e Nenit 4 të NATO-s.
Gjermani gjithashtu ka raportuar vëzhgime të mundshme nga dronët me dyshim për spiunazh.
Kurse në Estoni dhe Rumani u raportuan hyrje të avionëve rusë në javët e fundit, duke rritur shqetësimet e NATO-s.
Në Francë, Finlandë, Itali, Holandë, Suedi, Mbretëri e Bashkuar ka pasur raporte të izoluara për dronë, duke përfshirë mbi bazat ushtarake franceze, impiantet hidroelektrike finlandeze, duke quar në mbyllje të aeroporteve në disa raste.
E po ashtu dyshohet se fluturime të tilla të paautorizuara janë shënuar edhe mbi territorin e Republikës së Kosovës.
Në një deklarim para pak ditësh, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vuri në pah se kohët e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, por që sipas tij këta dronë paraqesin rrezik për kufijtë, por jo edhe për qytetarët.
Në këtë kontekst, nga Instituti Octopus që merren me studimin e luftës hibrid thonë se veprimet si kjo të Serbisë, janë presion psikologjik ndaj qytetarëve të Kosovës, si dhe mbështetje ndaj popullit serb në prag të zgjedhjeve lokale në vend.
“Serbia i ka mbi 40 baza ushtarake ne kufi me Kosovës dhe janë në koordinimin me to dhe ata sigurisht që tentojnë të marrim sa më shumë pamje dhe të shprehin qartësimin e fushës së sigurisë, në çfarë forme mund të hyjnë. Por është edhe një presion psikologjik ndaj popullit të Kosovës dhe përkrahje të popullit të Serbisë sidomos në afërsi të zgjedhjeve duke thënë se ne jemi duke vepruar për të ju mbrojtur juve dhe gjithë gjendjen dëshirojnë ta kthejnë në një kaos ku populli serb është në gatishmëri që të bëjë një rezistencë civile ndaj institucioneve të Kosovës dhe vet shtetit të Kosovës”, ka thënë Gurakuq Kuqi, nga instituti OCTOPUS.
Në anën tjetër, njohës të sigurisë thonë se kjo është vazhdimësi e luftës speciale hibride të Serbisë
ndaj Kosovës, por që kjo nuk paraqet kërcenim serioz për sulm ndaj Republikës. Megjithatë, Arbend Dashevci ka theksuar se institucionet e vendit duhet të jenë vigjilent në këto turbullira të sigurisë.
" E shohë vetëm si provokim të Serbisë kundrejt RKS asgjë më shumë se kaq duke pas parasysh se KFOR-i është garantues i hapësirës së republikës dhe nuk do të lejojë asnjë lloj të destabiliteti të kësaj forme", ka shtuar Dashaveci.
Ndërkohë, për këtë, KFOR-i ka nënvizuar se nuk ka vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë e gjithë vendit. /RTK