
Kurti për DioGuardin: Hapi dyert e politikës amerikane për shqiptarët
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në 85 vjetorin e lindjes së ish-kongresmenit amerikan, Joe DioGuardi, ka vlerësuar kontributin e tij për çështjen e Kosovës në politikën amerikane, duke thënë se ai ka luajtur një rol qendror për zërin e shqiptarëve në një kohë vendimtare për Kosovën.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ka theksuar se DioGuardi ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, në një kohë kur, sipas tij, pak njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet e kosovarëve në ish-Jugosllavi.
Sipas tij, përveç Joe DioGuardit, një rol të veçantë ka pasur edhe bashkëshortja e tij, Shirley DioGuardi, e cila ‘ka qenë gjithmonë pranë tij në përpjekjet për çështjen e Kosovës’.
“Teksa ai qëndronte në krah të vërtetës dhe popullit tonë, përkrah tij qëndronte bashkëshortja e tij, Shirley. Bashkë, lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja të mos përsëritej; mbrojtën UÇK-në si një ushtri çlirimtare me një kauzë të drejtë; bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhej të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet; dhe deri më sot, kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për t’u siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon, mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë. Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij”, ka shkruar Kurti.