Hargreaves: Radoiçiq duhet të sillet para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur

Hargreaves: Radoiçiq duhet të sillet para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur

Aktuale September 27, 2025 - 12:18

 

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka komentuar zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, duke e quajtur zhgënjyese dhe shqetësuese ngecjen aktuale të këtij procesi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i pyetur për rrjedhën e dialogut, ai tha se nuk është sekret që procesi aktualisht nuk po lëviz aq shpejt, duke përmendur mungesën e një Kuvendi dhe të një qeverie me kompetenca të plota në Kosovë, si dhe zhvillimet politike në Serbi që po marrin shumë vëmendje.

“S’është sekret që ai aktualisht nuk po lëviz aq shpejt. Dhe, nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh mungesën e një Kuvendi dhe të një qeverie me kompetenca të plota këtu. Ne, po ashtu, e kuptojmë se ka shumë zhvillime në Serbi aktualisht, të cilat po marrin shumë vëmendje politike”, tha Hargreaves.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian ka një ekip të shkëlqyeshëm që po punon për përgatitjen e terrenit kur të paraqitet një mundësi më e mirë për të ecur përpara me dialogun.

“Është zhgënjyese dhe shqetësuese që dialogu nuk po lëviz shpejt aktualisht. Por, BE-ja ka një përfaqësues të posaçëm të shkëlqyeshëm, dhe një ekip të shkëlqyeshëm, që unë e di se po punojnë fort për të përgatitur terrenin për momentin kur të paraqitet një mundësi më e mirë për të lëvizur përpara. Mbretëria e Bashkuar është sigurisht e vendosur për ta mbështetur BE-në në atë proces. Dhe, në ndërkohë, po siguron që kushtet në Kosovë të jenë më të mirat e mundshme, për të mundësuar një mjedis të mirë për këtë. Kjo është diçka që Kosova mund ta bëjë, pavarësisht bisedimeve dypalëshe apo trepalëshe. Por, baza e dialogut do të ndikohet shumë nga kushtet në terren. Dhe, kjo është diçka që unë mendoj se është në kontrollin e Kosovës dhe të qeverisë së saj”, vijoi ai

Ambasadori Hargreaves u pyet gjithashtu për kushtin e vendosur nga kryeministri Kurti, që dialogu të vazhdojë vetëm nëse Millan Radoiçiq ekstradohet.

Ai theksoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë të Radoiçiqit dhe autorëve të tjerë të sulmit në Banjskë, sa më parë.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Millan Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë, sa më shpejt që të jetë e mundur”.

I pyetur se ku duhet të vihen para drejtësisë, dhe nëse ky duhet të jetë kusht për vazhdimin e dialogut, ambasadori britanik u përgjigj: “Mendoj se fillimisht është çështje për autoritetet serbe, dhe ne, në mënyrë të qëndrueshme dhe të rregullt, flasim me autoritetet serbe për këtë. Nuk dua të hyj në atë se çfarë ndodh më pas, sepse mendoj, para së gjithash, se është çështje e sistemit gjyqësor serb për t’u marrë me këtë. Por, është vërtet e rëndësishme që kjo të ndodhë. Ne nuk mund të vazhdojmë me pandëshkueshmërinë për atë sulm të tmerrshëm, dhe duhet të ketë veprime kundër zotërisë Radoiçiq dhe kolegëve të tij”.

“Unë nuk po i referohesha asaj se a duhet të jetë kusht apo jo për dialog. Mendoj se është një proces që duhet të ndodhë. Gjithashtu, mendoj se sa më shpejt që Kosova dhe Serbia të kthehen në rrugën e duhur, me një dialog konstruktiv mes tyre, aq më mirë do të jetë për popullin e Kosovës”, përfundoi ambasadori Hargreaves.