Kosova rrezikon krizë buxhetore nëse komunat dhe Kuvendi nuk miratojnë projektet për vitin 2026
Foto: Laura Hasani

Kosova rrezikon krizë buxhetore nëse komunat dhe Kuvendi nuk miratojnë projektet për vitin 2026

Aktuale September 27, 2025 - 10:15

Kosova tash e disa muaj vazhdon të ballafaqohet me mungesën e institucioneve. E nëse deri në dhjetor Kuvendi i Kosovës, nuk arrin që ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, atëherë vendi rrezikon të përballet me një krizë financiare.

Ndërkohë që disa komuna, nuk po arrijnë që t’i miratojnë buxhetet në Kuvendet Komunale të tyre, kjo edhe si shkak i zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Megjithëse, Komunat duhej t’i dorëzonin projektbuxhetet deri më 1 shtator dhe t’i miratonin deri më 30 shtator, përndryshe Ministria e Financave mund të hartojë buxhet të përkohshëm. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk funksionalizohet deri në fund të dhjetorit, vendi do të ketë buxhet vetëm për muajin janar të vitit 2026.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online tregoi kërkesën që kanë bërë në adresën e Ministrisë së Financave.


“Ne si bord i asociacionit kemi kërkuar nga Ministria e Financave që t’iu lejohet komunave miratimi i buxhetit pas afatit ligjor… sepse do të ishte shumë më mirë që kryetarët e ardhshëm dhe anëtarët e kuvendeve komunale të miratojnë buxhetet dhe të punojnë me ato buxhete vitin e ardhshëm,” deklaroi ai, duke shtuar se deri tani “ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Financave”, tha Ibrahimi për Ekonomia Online.

Ibrahimi paralajmëroi se mosmiratimi i buxheteve në kohë sjell pasoja ligjore dhe financiare.

“Nëse kuvendet komunale nuk arrijnë që deri më 30 shtator t’i miratojnë buxhetet e tyre, ministri e ka të drejtën ta hartojë një buxhet për ato komuna duke u bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, mirëpo kjo nuk do të thotë që mund të mbarojë gjithçka,” theksoi ai për EO.

Ai shtoi se rreziku më i madh lidhet me buxhetin e përgjithshëm të Kosovës.

“Nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrinë që deri në fund të dhjetorit ta miratojë buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm, Kosova ka buxhet vetëm për janarin e vitit 2026… në të kundërtën, që nga 1 marsi Kosova do të ketë krizë financiare të jashtëzakonshme që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës,” paralajmëroi Ibrahimi.

Ndërkaq disa komuna ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin 2026. Në mesin e tyre janë Prishtina, Gjilani dhe Zveçani. Komuna e Rahovecit gjithashtu ka njoftuar se ka shtyrë miratimin e buxhetit për 2026, duke argumentuar se do ta diskutojnë pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit./EO