Kurti takohet me kryeministrin e Belizesë, Kosova ka ushtarë atje

Kurti takohet me kryeministrin e Belizesë, Kosova ka ushtarë atje

Aktuale September 26, 2025 - 21:01

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Belizesë, John Briceño. Në takim e shoqëruan zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës, ambasadori Blerim Reka.

Temë kryesore e diskutimit ishin mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe fushat me potencial për investime të huaja. U fol gjithashtu për bashkëpunim në arsim, turizëm, politika sociale, punësim dhe kulturë.

Kurti e informoi homologun e tij për progresin e Kosovës në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe në aspektin e sigurisë, duke e falënderuar për mbështetjen e Belizesë në proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Belize, në kuadër të misionit të përbashkët me ushtrinë britanike.

Të dy kryeministrat ftuan njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe u dakorduan për shkëmbime në fusha me interes të ndërsjellë.

Belize e ka njohur pavarësinë e Kosovës në gusht të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën në prill 2016. Në vitin 2021, në Nju Jork, Kosova dhe Belize nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për konsultime bilaterale, me synim forcimin e bashkëpunimit në çështje ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, paqe dhe siguri.