I dënuari për krime lufte në Kosovë, Pavkoviqi, po lirohet nga burgu, thotë Vuçiqi

I dënuari për krime lufte në Kosovë, Pavkoviqi, po lirohet nga burgu, thotë Vuçiqi

Aktuale September 26, 2025 - 20:45

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten në Nju Jork se Mekanizmi në Hagë ka vendosur që, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, të lirojë para kohe gjeneralin serb, Nebojsha Pavkoviq.

Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë Jugosllave, është dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.

Vendimi ndaj tij është i formës së prerë.

Vuçiqi u tha gazetarëve në Nju Jork se Qeveria e Serbisë, me kërkesën e tij, për shkak të “gjendjes jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore” të Pavkoviqit, ka paraqitur kërkesë për lirimin e parakohshëm të tij.

Sipas Vuçiqit, Ministria e Drejtësisë e Serbisë po i dërgon një aneks Mekanizmit në Hagë, pas së cilës do të vijë përgjigjja e tyre.

“Dhe pastaj mund të shkojmë ta marrim gjeneralin Pavkoviq, që të shohë diellin e Serbisë së lirë, për të cilën u luftua aq shumë, trimërisht më vitin 1999”, tha Vuçiq.

Pavkoviq në vitin 2009 u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbim, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.

Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniq dhe Llazareviq me nga 15 vjet.

I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.

Të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht.

Mekanizmi në Hagë, deri në këtë moment, nuk ka njoftuar se Pavkoviqi do të lirohet para kohe.

Dënimin ai po e vuan në Finlandë.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në maj 2022, e kishte refuzuar kërkesën e Pavkoviqit për lirimin e parakohshëm, për shkak të “rëndësisë së madhe të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit”. /REL