Sot do të dorëzohet padi në Prokurori kundër kryeparlamentarit Dimal Basha
Foto: Laura Hasani

Sot do të dorëzohet padi në Prokurori kundër kryeparlamentarit Dimal Basha

Aktuale September 26, 2025 - 08:11

Ditën e sotme do të dorëzohet kallëzim penal dhe padi në Prokurorinë Speciale, ndaj kryeparlamentarit të vendit, Dimal Basha.

Këtë do ta bëjë ish-ushtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Gent Gjini.

Padia lidhet me pretendimet e Bashës për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kartelet e drogës dhe për bashkautorësinë e tij për publikimin e këtyre pretendimeve në një revistë shkencore të një universiteti në SHBA.

Avokati Gent Gjini bëri të ditur për Ekonominë Online se të premten në orën 13:20 do të dorëzohen kallëzimi penal dhe padia.

“Ditën e premte në Prokurorinë Speciale, në orën 13:20, do të dorëzojmë kallëzimin penal dhe padinë ndaj Dimal Bashës për propagandën në përhapjen e fakteve jo të vërteta ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është financuar nga kartelet e drogës, e ku Dimal Basha këto pretendime i ka theksuar në një revistë shkencore në një universitet në SHBA, e po ashtu faktit se Dimal Basha ka bashkëpunuar me një autore dhe kanë përhapur fakte kundër UÇK-së, duke dhënë informata kësaj autore në publikimin e kësaj reviste kundër popullatës shqiptare. Andaj unë si avokat dhe një përfaqësues i UÇK-së të premten do të procedojmë kallëzimin penal, ku do të kërkojmë që gjatë hetimit të kësaj çështjeje të merret në tërësi revista e publikuar dhe do të kërkojmë nga Prokuroria Speciale që Dimal Bashës t’i ndalohet ushtrimi i pozitës së kryeparlamentarit, përderisa çështja të trajtohet dhe të hetohet nga Prokuroria Speciale. Universiteti amerikan do të na sigurojë revistën shkencore dhe do të shprehet vepra penale që ka kryer Dimal Basha”, ka njoftuar Gjini.