
“Çdo mëngjes presim një thirrje”- Si të zgjidhet çështja e të pagjeturve?
Bashkë i mblodhi një kauzë e rëndësishme e pas luftës në Kosovë.
Familjarë të personave të pagjetur, aktivistë të shoqërisë civile dhe zyrtarë të EULEX-it u mblodhën në Mitrovicën e Veriut.
Organizatat OJQ AKTIV, Pro Peace Kosovo dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur organizuan një panel diskutimi me familjarët e personave të pagjetur.
Drejtori i AKTIV-it, Miodrag Miliçeviq, theksoi se çështja e personave të pagjetur nuk duhet të politizohet në asnjë formë.
“Jemi mbledhur këtu për të biseduar sinqerisht për një çështje kaq të ndjeshme me familjarët e personave të pagjetur. Kjo çështje në asnjë formë nuk duhet të politizohet, por duhet të gjendet një zgjidhje”, thotë Miliçeviq.
Gjyla Haziri nga organizata “Zëri i Prindërve” tha se pajtimi është i pamundur pa u zgjidhur më parë çështja e të pagjeturve.
“U përmend këtu çështja e pajtimit, por kjo është e vështirë të ndodhë kur ende ka kaq shumë persona të zhdukur nga lufta”, shprehet ajo.
E Negovan Mavriq, që nuk di asgjë për fatin e vëllait të tij edhe pas 26 vitesh tha se prindërit e tij e kanë shumë të vështirë kur ulen në tavolinë dhe u mungon djali.
Mavriq shtoi se këtë ndjenjë e kuptonte shumë mirë bashkëpunëtori i tij i ngushtë nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, i cili gjithashtu kërkonte djalin e tij të zhdukur gjatë luftës.
“Vuaj shumë për prindërit e mi, të cilët kur ulen në tavolinë nuk e kanë pranë djalin e tyre. Çdo mëngjes zgjohesh me shpresën se dikush do t’iu thërrasë në telefon. Këtë ndjenjë e kishte edhe bashkëpunëtori im i ngushtë ndër vite, Bajram Qerkini”, thotë ai.
Antropologia mjeko-ligjore e misionit të EULEX-it, Luísa Marinho, tregoi se hasin shumë sfida gjatë procesit të identifikimit të personave të zhdukur.
“Ka shumë sfida në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur. Kanë kaluar shumë vite dhe kujtesa e dëshmitarëve zbehet. Po ashtu, situata në terren ndryshon, sepse ndër vite janë bërë shumë ndërtime. Megjithatë, ne kemi kapacitetet për ta kryer këtë punë, dhe dhimbja e familjarëve na motivon edhe më shumë”, shprehet Marinho.
Familjarët kërkuan angazhim më të madh nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), 1,591 persona nga lufta në Kosovë ende figurojnë si të zhdukur, nga gjithsej 6,063 të raportuar fillimisht./teve1