
Dronë të dyshuar serbë mbi qiellin e Kosovës
Serbia po vazhdon provokimet ndaj shtetit të Kosovës.
Alarmi është ngritur ditë më parë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se Beogradi zyrtar ka shkelur hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës me disa dronë.
E Tëvë1 ka mësuar ekskluzivisht se tash e dy ditë, dronët që dyshohet se janë nga Serbia, kanë vëzhguar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në pjesën veriore të vendit.
Këtë aktivitet të kundërligjshëm e kanë vërejtur Policia e Kosovës të cilët më pas kanë njoftuar pjesëtarë të KFOR-it amerikan.
Tëvë1 i ka parë edhe pamjet e këtyre dronëve, të cilët janë vërejtur natën e së mërkurës, mbi hapësirën ajrore në pikën kufitare të Jarinjes.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani konfirmon se këto informacione i kanë ndarë me KFOR-in amerikan, të cilët janë duke u marrë me rastin.
“Ajo çfarë unë kom për të thënë është se kemi një bashkëpunim shumë të mirë me KFOR-in, KFOR-i amerikan është përgjegjës për veriun e vendit. Cdo informacion që ne e kemi, e shpërndajmë me ta edhe cdo gjë që ka nevojë të ndahet e ndajmë me ta. siguria është në nivel, a ka mundësi të jemi më mirë, gjithmonë ka mundësi me qenë më mirë. Ne konsiderojmë që në cdo pjesë të veriut, mund të ndërhyjmë. Kemi bashkëpunim me partnerët tanë për cdo rreziqe tjera”, ka thënë Elshani.
Tëvë1 ka dërguar pyetje në KFOR, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Poashtu Tëvë1 ka raportuar edhe më herët për disa dyshime se dronë të Serbisë që kanë operuar mbi infrastrukturën kritike në disa zona përfshirë, liqenin e Batllavës dhe kazermën e FSK-së në Podujevë, për cka KFOR kishte thënë se janë duke monitoruar situatën.