
Përparim Rama pasi i liroi nga pagesat e transportit nxënësit, studentët, stafin arsimor e shëndetësor: Qytetarët janë prioriteti ynë
Komuna e Prishtinës vazhdon me transformimin e transportit urban.
Me vendim të kryetarit Përparim Rama, nxënësit, studentët, stafi arsimor, shëndetësor dhe punëtorët e komunës, do ta kenë transportin urban pa pagesë.
Kështu thuhet në vendimin e nënshkruar nga Rama.
Kryetari i kryeqytetit ka theksuar se transformimi i transportit urban vazhdon.
“Transformimi i Transportit Urban vazhdon! Nga 1 tetori, me këtë vendim, transporti urban do të jetë falas për: Stafin shëndetësor, si dhe stafin administrativ, teknik dhe mbështetës të të gjitha institucioneve shëndetësore të Kryeqytetit. Stafin mësimor, si dhe stafin administrativ, teknik dhe mbështetës të të gjitha institucioneve arsimore të Kryeqytetit, përfshirë edhe institucionet parashkollore. Të gjithë punonjësit e administratës së Kryeqytetit, në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe institucionet vartëse të tij. Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në Kryeqytet. Të gjithë studentët e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.
“Qytetarët janë prioriteti ynë, për një Prishtinë më të gjelbër dhe me më pak vetura”, tha ai.