Regjistrimi i bizneseve mund të bëhet edhe përmes platformës e-Kosova
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Regjistrimi i bizneseve mund të bëhet edhe përmes platformës e-Kosova

Aktuale September 25, 2025 - 18:13

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar bizneset se nga 9 qershori 2025, regjistrimi fillestar i shoqërive tregtare në Republikën e Kosovës është mundësuar edhe përmes platformës elektronike e-Kosova.

Ky hap është bazuar në Vendimin nr. 299 të datës 05.06.2025, të nxjerrë nga Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Regjistrimi përmes platformës e-Kosova do të jetë plotësisht online – duke përfshirë aplikimin, miratimin e lëndës dhe lëshimin e certifikatës elektronike – pa pasur nevojë që aplikuesit të paraqiten fizikisht në sportelet e ARBK-së apo Qendrave Komunale të Biznesit (QKB), thuhet në njoftim.

Ndërkohë, sistemi ekzistues e-Regjistri i Biznesit do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë pjesërisht elektronike: aplikimi dhe miratimi do të bëhen online, por certifikata do të merret në sportelet përkatëse.

Dokumentet e ngarkuara në mënyrë elektronike do të arkivohen fizikisht nga zyrtarët e ARBK-së apo QKB-ve, ndërsa aplikuesit nuk do të kenë detyrim t’i dorëzojnë ato në formë fizike.

Përmes e-Kosova, bizneset do të kenë gjithashtu qasje të plotë elektronike në informata dhe historikun e tyre biznesor, pa pasur nevojë për vizita në sportelet e ARBK-së, thuhet në njoftimin e MINT.

Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare mbetet pa pagesë, qoftë nëpërmjet e-Kosova, sistemit e-Regjistri i Biznesit, apo fizikisht në sportelet e ARBK-së dhe QKB-ve, të cilat do të vazhdojnë të jenë të hapura për shërbimet që kërkohen në formë fizike.