Serbia sulmoi në Banjskë, Radoiçiqi foli në telefon me Vuçiqin gjatë ditës

Serbia sulmoi në Banjskë, Radoiçiqi foli në telefon me Vuçiqin gjatë ditës

Aktuale September 25, 2025 - 08:23

Në ditën e 24 shtatorit, kur grupi terrorist tentoi aneksimin e pjesës Veriore të Kosovës nga Banjska, krimineli Millan Radoiçiq kishte komunikuar përmes telefonit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

VOX Kosova ka siguruar një dokument ekskluziv nga organet e sigurisë së Kosovës, ku listohen komunikimet e Radoiçiqit në kohën kur po ndodhte sulmi.

Kjo listë komunikimesh u nxor pas ekzaminimeve të telefonit të kryeterroristit serb Radoiçiq.

Nga lista e telefonatave që ka parë VOX Kosova shihet se përveç Vuçiqit, Radoiçiq kishte biseduar edhe me zyrtarë tjerë të lartë të shtetit serb, kryesisht nga strukturat e sigurisë.

Komunikimi mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit ishte bërë përmes platformave alternative të komunikimit telefonik që nuk kërkojnë numër të telefonit, tregon dokumenti.

Kjo provë, përfundimisht dëshmon se sulmi në Bansjkë ishte një koordinim i drejtpërdrejtë i Radoiçiqit me shtetin serb.

Tentim-aneksimi në Banjskë të Zveçanit ndodhi mëngjesin e 24 shtatorit të vitit 2023, saktësisht dy vite më parë.

Një grup paramilitarësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Radoiçiqit, sulmoi Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Nga luftimet më pas, mbetën të vrarë edhe tre terroristë serbë.

Shumica e paramilitarëve serbë, përfshirë edhe Radoiçiqit, u larguan për në Serbi, ku dyshohet se janë edhe tani në liri.

Kosova akuzoi për këtë sulm drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të marrë masa ndaj Beogradit zyrtar.

Nga ana tjetër, Serbia nuk u distancua nga sulmi, madje shpalli edhe ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë.