
Basha kërkon nga ndërkombëtarët t’i bëjnë trysni Serbisë për t’i dorëzuar kriminelët serbë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni te Serbia për t’i dorëzuar kriminelët serbë të cilët sulmuan Banjskën e Zveçanit e ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Këtë thirrje ai e bëri gjatë Akademisë përkujtimore me rastin e dyvjetorit të rënies së heroit Afrim Bunjaku.
“Sot nderojmë heroizmin e një prej bijve më të devotshëm të republikës sonë, heroit tonë Afrim Bunajku. Me veprën e tij sublime ai u bë dëshmi dhe garanci e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Bashkë me kolegët e tij policë, dy vjet më parë e në vazhdimësi u dëshmua se mbrojtja e republikës përveç detyrë profesionale, është përkushtim e betim për mbrojtjen e bazamenteve të Kushtetutës sonë që Kosova të mbetet gjithmonë shtet i pavarur, sovran, unik dhe i pandashëm. Akti terrorist i dy viteve më parë që i mori jetën rreshterit Bunajku ishte i sponsorizuar, i financuar dhe i realizuar nga vetë shteti serb. Pasi falë heroizmit e atdhedashurisë së policëve tanë që mbrojtën territorin duke ia dështuar planin Serbisë, ajo u bë strehë për ekzekutuesit e këtij akti, duke dëshmuar që vazhdon të mbajë gjallë politikën destabilizuese dhe armiqësore ndaj shtetit tonë”, tha ai.