Alban Neziri – kirurgu shqiptar nga Zvicra kryen falas dy operacione të rralla në QKUK

Alban Neziri – kirurgu shqiptar nga Zvicra kryen falas dy operacione të rralla në QKUK

Aktuale September 24, 2025 - 14:57

Para dy ditësh në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë të QKUK-së janë kryer me sukses dy operacione shumë të ndërlikuara te dy vajza, të cilat kanë lindur me mitër dhe vaginë të pazhvilluar.

Këto operacione i ka kryer Alban Neziri – shqiptari gjinekolog, i cili punon në një spital në Zvicër. I njëjti këto ndërhyrje tejet të ndërlikuara i ka kryer falas në Kosovë.

“Më 22 shtator 2025, në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë të QKUK-së, kemi realizuar për herë të parë në Kosovë dhe Ballkan, dy operacione shumë të ndërlikuara tek paciente me sindromën Mayer-Rokitansky-Küster-Hauser. Bëhet fjalë për një gjendje të lindur ku vajzat nuk kanë të zhvilluara mitrën dhe vaginën, ndërsa karakteristikat tjera sekondare femërore janë normale. Me anë të metodës speciale kirurgjikale Wharton-Sheares-George është krijuar një neovaginë (vaginë e re) dhe me laparoskopi është dokumentuar mungesa e mitrës dhe gjendja e rregullt të vezoreve. Kjo ndërhyrje hap mundësinë që pacientet tona të përgatiten në mënyrë adekuate për trajtime më të avancuara, përfshirë transplantin e mitrës në qendra të specializuara evropiane dhe u mundësoj atyre një cilësi më të mirë të jetës, sidomos në aspektin personal, psikologjik dhe social”, ka treguar kirurgu gjinekolog, i cili këto patologji i trajton në baza ditore në Zvicër.

Neziri thotë se është i përkushtuar që të ofrojë shërbimin e tij si kirurg, që pacientet me këtë diagnozë, të cilat deri tani duhej të trajtoheshin jashtë vendit, të trajtohen në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, në mënyrë që stafi i kësaj klinike të trajnohet që t’i bashkëngjitet 5 qendrave të mëdha evropiane në të cilat ofrohet ky trajtim.

“Trajtimet janë pa pagesë për të gjitha pacientet. Dua të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar nga zemra drejtorin dr. Zef Ndreaj, gjithë stafin profesional të Klinikën e Gjinekologjisë si dhe stafin profesional të anestezionit për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. Falënderoj edhe Prof. Violeta Zatriqin, drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Armend Ramadanin për mbështetjen e pakushtëzuar në sigurimin e materialeve të nevojshme për realizimin e operacioneve. Apeloj të kolegët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, të cilët diagnostikojnë vajza me sindromën MRKH që t’i referojnë ato në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në QKUK. Këto raste do të trajtohen nga unë dhe stafi profesional i KOGJ-së”, ka shkruar tutje kirurgu Neziri, i cili do të vazhdojë falas me trajtimin e këtyre anomalive.

Gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, ka kuptuar se pacientet të cilat i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje janë të moshës 16 dhe 18-vjeçare. /klankosova