
Hoxha kujton Afrim Bunjakun: Duhet të punojmë që amaneti i tij të çohet në vend
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur pas homazheve të mbajtura sot në nderim të rreshterit të Policisë, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023.
Përmes një deklarimi për media, Hoxha u shpreh se duhet të punojmë që amaneti i tij për Kosovë të pavarur të çohet në vend.
“Afrimi ishte një polic shembullor, një profesionist i vërtetë dhe një guximtar i madh që sakrifikoi jetën e tij për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim. Më shumë duhet të punojmë që amaneti i tij për një Kosovë të pavarur, ku ka rend dhe ligj, të mbisundojë dhe të çohet në vend”, tha Hoxha.
Ai shtoi se sot përkujtohen me respekt edhe të gjithë policët që u përballën me sulmin në Banjskë, të cilin e cilësoi si një betejë të fituar.
“Shpresojmë të mos kemi raste të tilla, por nëse ndodhin, jemi të gatshëm t’i dalim ballë vendit tonë”, u shpreh Hoxha.