Maqedonci kujton Afrim Bunjakun: Kosova do t’i rrisë kapacitetet e saj ushtarake

Maqedonci kujton Afrim Bunjakun: Kosova do t’i rrisë kapacitetet e saj ushtarake

Aktuale September 24, 2025 - 13:54

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kujtuar rreshterin e Policisë Afrim Bunjaku, që u vra gjatë përballjes me grupin e armatosur serb, që kreu sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Teksa vlerësoi lart kontributin e heroit Bunjaku, Maqedonci ka theksuar se Kosova do të rrisë kapacitetet e saj ushtarake. Më tej ai tha se kriminelët që e orkestruan gjithë sulmin e 24 shatorit 2023 po shëtiten lirshëm nëpër Serbi.

“Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, me qëllim aneksimin e veriut sipas metodës së njohur ruse, kujtojmë me nderimet më të larta heroin e Kosovës, rreshterin e policisë së Kosovës Afrim Bunjakun, i cili ra në krye të detyrës e në mbrojtje të sovranitetit të vendit! Njëkohësisht, nderojmë angazhimin e organeve tona të sigurisë për ta përmbyllur me sukses operacionin special i cili konfirmoi vullnetin dhe kapacitetet tona për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit. Dy vite pas, kriminelët që orkestruan këtë aksion terrorist shëtiten të lirë nëpër Serbi, konfirmim shtesë i mbështetjes shtetërore serbe për këtë veprim. Shteti i Kosovës nuk e harron kurrë sakrificën e Afrim Bunjakut dhe gjithë dëshmorëve tjerë, gjaku i së cilëve forcojnë themelet e përjetshme të Republikës. Kosova do të rris kapacitetet e saj ushtarake si forma më e mirë për të siguruar mbrojtjen dhe paqen në rajon! Lavdi për Afrim Bunjakun, lavdi për të gjithë dëshmorët e Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.