Sulmi në Banjskë, Musliu: Serbia synonte aneksimin e veriut, reagimi ndërkombëtar ishte i vakët
Foto: Laura Hasani

Sulmi në Banjskë, Musliu: Serbia synonte aneksimin e veriut, reagimi ndërkombëtar ishte i vakët

Aktuale September 24, 2025 - 10:28

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka kujtuar sulmin në Banjskë, ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Musliu ka thënë se sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist dhe paramilitar të organizuar nga Serbia kundër Kosovës, që konsiderohet edhe agresioni më i madh shtetëror i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës që nga përfundimi i luftës.

“Faktet e dokumentuara nga terreni, përgatitja dhe armët e grupit terrorist, hartat, videot dhe materialet e tjera ushtarake si dhe kanali i sigurt për depërtim në Kosovë dëshmojnë se ky sulm ishte një operacion i planifikuar, organizuar dhe i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të Serbisë ishin të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në këtë ndërmarrje”, ka shkruar Musliu në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ai ka theksuar se objektivi final i këtij sulmi ishte krijimi i një zone të kontrolluar nga Beogradi në veri të Kosovës, si hap drejt aneksimit de fakto të asaj pjese të territorit.

“Atë ditë edhe ushtria e Serbisë ka qenë në gjendje gatishmërie për të mbështetur terroristët. Edhe pas ekspozimit ndërkombëtar të Milan Radoiçiq si udhëheqës i sulmit, ai vazhdon të gëzojë mbrojtje të plotë nga shteti serb dhe personalisht nga presidenti Vuçiq. Ky fakt shpalos hapur lidhjen organike mes politikës zyrtare të Beogradit dhe strukturave kriminale-paramilitare që përdoren si instrumente të strategjisë shtetërore”, u shpreh Musliu.

Eksperti i sigurisë ka shtuar se përveç që i lirë Radoiçiqi po ushtron ndikim në terren në mbështetje të SNS-it si rasti i djeshëm në komunën e Kosjeriqit e deri te ndikimi te Lista Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Edhe pse fakti i agresionit është i pamohueshëm, reagimi i shteteve perëndimore dhe i institucioneve ndërkombëtare ka qenë i vakët dhe shpesh i kufizuar në deklarata të përgjithshme. Një akt i këtij niveli, i cili përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të sigurisë kolektive, kërkon masa të qarta ndëshkuese ndaj Serbisë, sikurse sanksionet ekonomike, bllokim i procesit integrues dhe sanksionet individuale e futja në listë të zezë të lidershipit politik në Serbi”, ka shkruar Musliu.

Musliu u shpreh tutje se Kosova nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektim të sovranitetit të saj dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar që e garanton atë.

“Ndëshkimi i Serbisë për agresionin e 24 shtatorit nuk është vetëm interes i Kosovës, por një domosdoshmëri për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e rendit ndërkombëtar”, tha ai.