Baraliu: Zgjedhjet e reja mund të sjellin përsëritje të krizës me pasoja më të rënda
Foto: Laura Hasani

Baraliu: Zgjedhjet e reja mund të sjellin përsëritje të krizës me pasoja më të rënda

Aktuale September 24, 2025 - 10:03

Kriza institucionale që po zgjat tashmë afro tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka rikthyer në tavolinë diskutimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare si një zgjidhje të mundshme për bllokadën politike.

Edhe pse partitë politike kanë shprehur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje në rast se nuk gjendet një zgjidhje për krizën, ka zëra që paralajmërojnë për pasojat që mund të sjellë një skenar i tillë.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka ngritur shqetësimin se një proces i ri zgjedhor jo vetëm që nuk do të sjellë zgjidhje, por mund ta thellojë edhe më shumë krizën aktuale.

Sipas Baraliut, edhe nëse Gjykata Kushtetuese rekomandon shkuarjen në zgjedhje, rezultati i tyre ka shumë gjasë të jetë një përsëritje e situatës së 9 shkurtit, por këtë herë me pasoja edhe më të rënda për vendin.

“Nuk sjellin asgjë të re edhe një palë zgjedhje. Mund ta kemi një reprizë të njëjtë, me pasoja më të mëdha”, deklaroi Baraliu për RTV21.

Ai shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese vendos të rikthejë procesin për zgjedhjen e një ose dy nënkryetarëve të Kuvendit dhe nuk arrihet konsensus ashtu si deri më tash, atëherë zgjidhja e vetme mbetet shkuarja në zgjedhje të reja.

Megjithatë, sipas Baraliut, ky hap duhet të merret me kujdes të madh, pasi mund të krijojë më shumë dëm sesa zgjidhje.