
Sulmi në Banjskë, Britania kërkon që Radoiçiqi të dalë para drejtësisë
Sot bëhen dy vjet nga sulmi i armatosur në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Që nga 24 shtatori i vitit 2023, organizatori i këtij sulmi terrorist, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Nga sulmi terrorist në Banjskë kishte mbetur i plagosur edhe një polic tjetër. Grupe serbe terroriste kishin hyrë në territorin e Kosovës duke kryer sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Dy vjet pas sulmit terrorist, ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar duke shkruar se sot shënohet përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë.
"Ne vazhdojmë të vajtojmë humbjen e policit Afrim Bunjaku gjatë atij sulmi. I bëjmë nder profesionalizmit dhe guximit të Policisë së Kosovës për veprimet e saj në rivendosjen e rendit më 24 shtator 2023, si dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të durueshme në hartimin e aktakuzës", thuhet në reagim.
Ambasada britanike ka kërkuar nga autoritet serbe që Radoiçiqi të sillet para drejtësisë.
"Autorët e sulmit, përfshirë Millan Radoiçiqin, ende nuk janë arrestuar dhe nuk janë sjellë para drejtësisë, dhe ne edhe një herë u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur", thuhet në njoftimin e Ambasadës.