
Ambasadori britanik: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, në një takim që theksoi rëndësinë e respektimit të vendimeve të kësaj gjykate.
Në njoftimin zyrtar të Ambasadës, theksohet se Mbretëria e Bashkuar pret që vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me formimin e Kuvendit të respektohen dhe zbatohen nga udhëheqësit politikë, për t’i dhënë fund ngërçit që ka bllokuar institucionet e Kosovës për një kohë të gjatë.
“Sot takova Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Nexhmi Rexhepi. Mbretëria e Bashkuar pret që vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me formimin e Kuvendit të respektohen dhe zbatohen nga udhëheqësit politikë me qëllim që t’i jepet fund ngërçit në të cilin Kosova ka ngecur për një kohë shumë të gjatë, në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të mund të fillojnë punën në interes të popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Përveç kësaj, Ambasada ka vlerësuar rëndësinë jetike të Gjykatës Kushtetuese në ruajtjen e Kushtetutës së Kosovës:
“Puna e Gjykatës është jetike në mbrojtjen dhe ruajtjen e Kushtetutës së Kosovës. Pavarësia e saj është thelbësore për funksionimin e saj”, theksohet më tej.
Ky takim vjen në një kohë kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar gjykatëistët e Gjykatës Kushtetuese, duke i akuzuar ata si të “kapur” nga ish-partitë opozitare.