
Kurti, Vitia e Bulliqi përurojnë Poliklinikën 2.4 milionë euroshe në Podujevë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bënë përurimin e shërbimeve të reja në Poliklinikën Specialistike në Podujevë.
Me këtë rast, sipas komunikatës, thuhet se Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e kahershme për hapjen e kësaj Poliklinike Specialistike për qytetarët e Podujevës.
“Investim shumë i rëndësishëm për Podujevën, për trevën e Llapit. Ky institucion shëndetësor tashmë është i gatshëm që të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët, duke shmangur nevojën për udhëtime në Prishtinë për çdo vizitë specialistike”, tha ai.

Nga sot në këtë Poliklinikë do të ofrohen 15 shërbime të reja specialistike, të cilat përfshijnë: Internistike (Kardiologji, Reumatologji, Endokrinologji, Hematologji, Gastroenterologji dhe Nefrologji), Kirurgjike (Kirurgjinë Abdominale, Torakale, Urologji, Vaskulare dhe Ortopedi), Gjinekologji, Pediatri, Pulmologji, Neurologji, analiza laboratorike dhe shërbimi i radiologjisë.
Vlera e përgjithshme e investimeve për këtë institucion shëndetësor arrin afër 2.43 milionë euro.
“Gëzuar, shëndet dhe shumë suksese në shërimin e pacientëve dhe në punën e mirë që e bëjnë mjekët specialistë dhe infermierët”, shtoi në fund të fjalës së tij kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi u shpreh se ky është një moment i gëzueshëm për të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës, dhe se ai vet është i lumtur që bashkëqytetarët e tij nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë për në Prishtinë për të marrë shërbimet që nga sot mund t’i marrin në Poliklinikën Specialistike. Ai falënderoi kryeministrin, ministrin dhe drejtuesit e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për mbështetjen.

Muajin e kaluar, në këtë poliklinikë u bë gjithashtu përurimi i Repartit të Hemodializës, shërbim ky që po ofrohet për herë të parë në komunën e Podujevës. /Zëri
