
Duncani qesh kur i shfaqet incizimi, ku Thaçi tregonte pse emri i Çekut ishte zëvendësuar me të tij në marrëveshjen e demilitarizimit
Gjatë dëshmisë së John Duncanit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, u shfaq një incizim i Hashim Thaçit, i cili intervistohej nga hetuesit ndërkombëtarë lidhur me dokumentin e marrëveshjes së demilitarizimit të UÇK-së. Në këtë video dëgjohej Thaçi teksa thoshte se dokumenti ka qenë i destinuar të nënshkruhet nga Agim Çeku.
“Dokumenti që ma prezantuat ka qenë për t’u nënshkruar nga Agim Çeku, ka qenë i diskutuar më herët dhe besoj që ai mund ta sqarojë atë rrethanë se pse është larguar në momentin e fundit nga nënshkrimi”, dëgjohet duke thënë Thaçi.
Ai tha se ndonëse është ndërruar emri i Çekut me të tij, shtoi se pozita “komandant i përgjithshëm” nuk u ndryshua.
“Në momentin e fundit është ndryshuar emri i tij me timin dhe kam mbetur. Por nuk është ndërruar ‘Commander in Chef’ (komandant i përgjithshëm). Ka qenë rrëmujë dhe gjithçka është bërë shpejt e shpejt. Ka qenë dëshmitar edhe ndihmëssekretari i zonjës Albright, James Rubin”, thoshte Thaçi.
Teksa transmetohej incizimi i intervistimit të Thaçit, dëshmitari qeshte me zë.
Ai pohoi se ajo se çka tha Thaçi qëndron.
Pjesë e deklaratës së Thaçit gjatë intervistës:
Thaçi: Para se të shkojmë te dokumenti tjetër, dëshiroj të sqaroj diçka. Dokumentin që ma prezantuar mua, ka qenë i përgatitur për t’u nënshkruar nga Agim Çeku, ka qenë i diskutuar më herët dhe mendoj se edhe ai mund ta sqarojë këtë rrethanë. Pse është larguar në momentin e fundit nga nënshkrimi.
Pyetje: Që të jemi të qartë, a po i referoheni marrëveshjes për demilitarizimin.
Thaçi: Po. Prandaj në momentet e fundit është ndërruar emri i Çekut dhe është zëvendësuar me timin, dhe unë kam mbetur, por nuk është zëvendësuar komanda, pra nuk është ndërruar titulli komandanti i përgjithshëm. Ka qenë rrëmujë dhe gjithçka është bërë shpejt e shpejt. Ka qenë dëshmitar edhe James Rubin. /Zëri