
A ishte Haradinaj në banketin pas negociatave të ’99-s? Duncani tregon kush ishte e çka u bisedua aty
Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, po e vazhdon dëshminë e tij në Hagë edhe sot.
Ai ka filluar dëshminë pasi është pyetur nga prokurori në lidhje me një intervistë të Ramush Haradinajt, i cili atë kohë deklaronte se nuk kishte qenë pjesë e “banketit” pas negociatave, ndërkaq Duncani dje kishte përmendur edhe emrin e tij në listën e të pranishmëve.
Duncani u pyet për emrat e të gjithë komandantëve të zonës që kanë qenë aty, për çka tha se nuk mund t’i kujtojë dot.
Në lidhje me negociatat dhe banketin pas tyre, Duncani tregoi për rëndësinë e secilës.
“Ajo çfarë Ramush Haradinaj tha është një përshkrim shumë i saktë i negociatave. Banketi ka ndodh më pas. Ai ka qenë një pjesë e rëndësishme e diskutime, por nuk kishte negociata. Negociatat thjesht kishin të bëjnë me formulimin e tekstit, me diskutimet lidhur me tekstin, por nga ana tjetër ngrënia e një kafshate bukë ishte diçka tjetër, diskutim i përgjithshëm. Sikurse mund të shihet shumë qartë, nuk është një person që e udhëheq diskutimin, por ka shumë njerëz që shprehin mendimin e tyre. Është një proces shumë i rëndësishëm, por nuk është negociatë. Negociatat siç e patë më herët, ndodhën në një sallë tjetër, ku kemi shkëmbyer mendimet, opinionet për pikat e caktuara kemi pas edhe përkthim. Në banket nuk kishte përkthyes, ishin thjesht biseda të lira, diskutime të strukturuara lidhur me negociatat”, ka thënë ai.