
Zogaj: Kosova në krizë politike, marrëdhëniet me BE-në e SHBA-në të prishura
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të rëndë politike dhe institucionale, duke theksuar se marrëdhëniet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në dhe SHBA-në, janë të tensionuara.
Zogaj e cilësoi këtë si cenim të shtetësisë dhe sigurisë së vendit.
“Marrëdhëniet tona me partnerët ndërkombëtarë janë në nivelet më të larta që ka pasur ndonjëherë Kosova. Jemi nën sanksione nga BE-ja, po ashtu jemi nën sanksione edhe nga partneri kryesor SHBA-ja dhe kjo e cenon gjithë shtetësinë e Kosovës lërë me sigurinë e të tjerat. Jemi në një situatë ku Kuvendi është pa institucione dhe është e rëndë kjo situatë në shumë rrafshe, edhe sociologjik, politik por edhe të sigurisë”, potencoi Zogaj.
Ai shtoi se distancimi nga aleatët e vendit është i papranueshëm dhe rrezikon të keqësohet gjendja në Kosovë.
“Por prishja e marrëdhënieve me partnerët tanë kryesorë, të cilët janë garantues kryesorë të shtetësisë sonë, prishja e marrëdhënieve na dërgon në nivelet më të këqija deri tash”, theksoi ai për Ekonominë Online.
Sipas Zogajt, Qeveria aktuale po mohon autoritetin e institucioneve shtetërore.
“Kemi pasur një mohim të institucioneve shtetërore, prej Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme e deri te Prokuroria Speciale. Kjo qeveri aktuale nuk po u përgjigjet institucioneve të veta. Marrëdhëniet vetëm sa janë të prishura. Deklarata e fundit e SHBA-së ka qenë një prej deklaratave më të rënda të shtetit tonë. Ajo ditë ka qenë më fatkeqja për vendin”, deklaroi Zogaj.