Policia i gëzohet radhitjes së Kosovës në “Gallup” si vendi më i sigurt në Evropë: Dëshmi e qartë e përkushtimit tonë
Foto: Laura Hasani

Policia i gëzohet radhitjes së Kosovës në “Gallup” si vendi më i sigurt në Evropë: Dëshmi e qartë e përkushtimit tonë

Aktuale September 23, 2025 - 09:43

Raporti më i ri ndërkombëtar “Gallup Global Safety Report 2025”, i publikuar në fillim të muajit shtator, ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e pozicionuar të tretën në nivel global dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.

Sipas raportit, Kosova ka arritur rezultat 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë) si tre vendet më të sigurta në botë. Ky rezultat e bën Kosovën vendin më të sigurt në Evropë, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.

Policia e Kosovës, ka theksuar se ky vlerësim ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, forcimin e bashkëpunimit e partneritetit me komunitetin dhe rritjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, raporti thekson se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonën ku jetojnë, përqindje që e vendos Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë në botë dhe në Evropë.

“Këto rezultate janë të lidhura ngushtë edhe me përkrahjen e vazhdueshme që Policia e Kosovës gëzon nga institucionet vendore dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet tjera të sigurisë, të cilat së bashku krijojnë një sistem gjithëpërfshirës për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend”, thotë Policia.

Në fund thuhet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe pronës, ofrimin e sigurisë dhe shërbim sa më profesional, efektiv dhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët pa dallim. /Zëri