Mbi 150 guida në Kosovë, asnjë e licencuar
Foto: Laura Hasani

Mbi 150 guida në Kosovë, asnjë e licencuar

Aktuale September 22, 2025 - 19:55

Guidat e huaja e kanë rrugën e hapur për të rrëfyer historinë e Kosovës sipas versionit të tyre, shpesh të shtrembëruar apo të mangët. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë, por shqetësuese: asnjë nga udhërrëfyesit turistikë në Kosovë, nuk është i licencuar.

Kështu vlerëson Baki Hoti, kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, i cili thotë se, përderisa institucionet nuk e rregullojnë procesin e licencimit, nuk ekziston asnjë mekanizëm ligjor për të ndaluar apo kontrolluar aktivitetin e guidave të huaja në territorin e vendit.

Sipas tij, në Kosovë asnjë institucion nuk i monitoron guidat e huaja dhe mënyrën se si ata e rrëfejnë historinë e Kosovës. E këtë çështje thotë se e ka vite që ia ka drejtuar institucioneve shtetërore, por asnjëri prej tyre nuk është interesuar.

Nga krejt kjo situatë, Hoti thotë se pëson tradita, kultura e imazhi i vendit.

Ndërkaq, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, e vlerëson pozitivisht ligjin e ri për turizmin, duke thënë se ai është shumë më i mirë dhe më i qartë sesa ligji i mëparshëm.

Megjithatë, sipas tij, ai e ka edhe një të metë, sepse nuk e ka shtuar dhe Agjencionin Kombëtar, i cili sipas tij është motori i promovimit të vendit.

Sipas tij, ligjet për turizmin dhe udhëzimet administrative e rregullojnë mirë çështjen e guidave, megjithatë, jo gjithherë zbatohen.

Sipas të dhënave të Unionit të Turizmit, numri i turistëve që kanë vizituar Kosovën është rritur me 34.6 për qind në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.

Rritje ka pasur gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në muajin korrik të 2025-ës, ku vizitat u rritën me 34.9 për qind krahasuar me korrikun e një viti më parë./klankosova