Marrëdhëniet e LPK-së me UÇK-në, Duncan: Ishin pjesë e të njëjtit grup

Marrëdhëniet e LPK-së me UÇK-në, Duncan: Ishin pjesë e të njëjtit grup

Aktuale September 22, 2025 - 16:55

Dëshmitari John Duncan në Hagë është pyetur edhe për njohuritë e tij lidhur me marrëdhëniet e Lëvizjes Popullore të Kosovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurori: Po flisnit për njohuritë që keni për UÇK-në, qeverinë e Përkohshme… A e njihnit Lëvizjen Popullore të Kosovës e njohur si LPK? Po marrëdhënien e UÇK-së me LPK?

Ish-diplomati britanik, Duncan u përgjigj se e kishte njohur LPK-në, dhe siç shpjegoi ai, kishin qenë pjesë e të njëjtit grup me UÇK-në.

“Po. Më duhet të kthehem shumë kohë pas sepse pyetja është ë hollësishme, nga sa më kujtohet, ka qenë krahu politik i UÇK-së, të paktën si e kam kuptuar unë, kanë qenë pjesë e të njëjtit grupi, nëse mund ta quaj kështu”, u përgjigj britaniku.

Ndërkaq, sa i përket asaj se çfarë temash mbulonin komunikatat e UÇK-së, Duncan tha “tema politike”.

“Laramani temash lidhur me temat politike, nga sa kam lexuar unë.  Nga sa kam kuptuar po përpiqeshin të tregonin se ishin organizatë e mirë themeluar dhe se ishin e ardhmja e Kosovës”, tha ai.