Supremja refuzon ankesën e LVV-së për Sami Lushtakun
Foto: Laura Hasani

Supremja refuzon ankesën e LVV-së për Sami Lushtakun

Aktuale September 22, 2025 - 16:21

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundrejt vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vetëvendosje ishte ankuar ndaj deklaratës së kandidatit të PDK-së Sami Lushtakut, për kryetar të Skenderajt të bërë një emision.

“Unë mendojë që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë, dhe duhet me kërkuar që ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk respektojnë Prokurorinë, unë mendojë që ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”, kishte deklaruar Lushtaku.

Ankuesi në këtë rast, LVV-ja pretendon se janë bërë shkelje të Ligjit të Përgjithshëm për Zgjedhjet.

Por, kjo sipas Supremes nuk qëndron.

“Në përgjigjen në ankesë, pranuesi i ankesës ka deklaruar se pretendimetr e ankuesit nuk qëndrojnë për arsye se, fillimisht, PDK ka shpërndarë udhëzime të qarta dhe të detajuara për të gjithë anëtarët e saj, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një masë për të siguruar që të gjithë të angazhuarit në aktivitete zgjedhore të përmbahen nga përdorimi i gjuhës fyese dhe kërcënuese, si dhe të ruajnë një nivel të lartë etik dhe profesionalizmi gjatë fushatës. Ky veprim i Partisë është një dëshmi eangazhimit të saj për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe pa incidente dhe se deklarata e tij, duhet të interpretohet si një thirrje për qytetarët që të reagojnë në mënyrë aktive dhe të kërkojnë përgjegjësi nga ata që shkelin Ligjin dhe Kushtetutën, dhe se kjo deklaratë nuk mund të interpretohet si një nxitje për dhunë, por si një thirrje për veprime qytetare për të kërkuar respektimin e institucioneve të Kosovës, si dhe e njëjta ka për qëllim të nxisë një reagim qytetar dhe të bazuar në parimet e drejtësisë, dhe jo në një veprim të dhunshëm apo të jashtë ligjshëm”, thuhet në njoftim.

Në arsyetimin e vendimit, PZAP-ja, theksoi se pas shikimit të shkresave të lëndës, dhe përgjigjes në ankesë të paraqitur nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës, vlerësoi se pretendimet e Subjektit Politik LVV, janë të pa qëndrueshme dhe si të tilla i refuzoi si të pa bazuara, për faktin sepse veprimet e përshkruara në ankesë nuk paraqesin shkelje të dispozitës së nenit 34 par.1 nënp.1.11 të LZP-së, me të cilën përcaktohet: “ Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: përdorimi i gjuhës, në formë të shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxit urrejtje kundër tjerëve ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”. Pretendimet ankimore të parashtruesit të ankesës lidhur me shkeljen e pretenduar nga ana e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Paneli i vlerësoi se janë të pa qëndrueshme dhe si të tilla i refuzoi, për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë nuk paraqesin ndonjë nga shkeljet e pretenduara, kjo pasi që në intervistën kandidati i PDK-së për Kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku në të cilën ka deklaruar, siç u sipër citua më lartë, sipas vlerësimit të Panelit, kjo deklaratë nuk i është drejtuar ndonjë personi konkret – individi apo ndonjë subjekti politik, gjegjësisht ankuesit të subjektit politik Vetëvendosje dhe mbi këtë arsye, nuk ka gjetur se janë shkelur rregullat zgjedhore në dëm të një subjekti politik.