
Nga skëterra në oazë, historia e çiftit që ndërtoi kampingun e ëndrrave mes Gjakovës dhe Rahovecit
Në mes të Gjakovës dhe Rahovecit, aty ku Drini i Bardhë shtrihet madhështor dhe shkëmbinjtë mbajnë historinë e shekujve, ka lindur një ëndërr. Një ëndërr e thurur me dashuri për vendin, për tokën dhe për njerëzit.
Këtu, një njeri me përkushtim e guxim vendosi të ndërtojë jo thjesht një kamp për turistë, por një shtëpi të hapur për botën.
Një strehë ku udhëtarët nga larg do të gjejnë paqen, mikpritjen dhe bukurinë e Kosovës.
Ky kamp nuk është vetëm vend pushimi. Është tregim i përkushtimit, i punës së ndershme dhe i besimit se edhe fshati më i vogël mund të bëhet dritare e madhe për botën.
Mes gjelbërimit, tingujve të natyrës dhe buzëqeshjes së mikpritësit, Ura e Fshajtë na kujton se bukuritë më të mëdha lindin nga zemrat më të thjeshta.
Ky është mesazhi që ky vend i vogël i dërgon botës së madhe: se dashuria për tokën dhe për njeriun është gjithmonë rruga më e bukur drejt së ardhmes.
Telegrafi ka qëndruar një ditë në këtë kamping, aty ku jemi pritur ngrohtësisht nga çifti drejtues, Bedri dhe Fatushe Cahani, të cilët na treguan se si i mirëpresin turistët nga mbarë bota, duke i njohur ata me bukuritë e Kosovës dhe mikpritjen tonë të shquar.
“Ideja na ka lindur kur burri po dilte në pension dhe më tha që do të dalim këtu. Kur erdha për herë të parë, u zhgënjeva, pasi që ne gjithmonë e kemi dashur natyrën dhe ngado që kemi shkuar, kemi pastruar fillimisht mbeturinat, pastaj jemi vendosur. Kur erdhëm këtu, ishte një skëterrë, kishte mbeturina të jashtëzakonshme, gropa të mëdha, diçka e paimagjinuar. Por, duke biseduar me familjen, thamë që do t’ia dalim, do ta rregullojmë dhe ia filluam punës. Vitin e parë e kemi pas vetëm një pjesë, ndërsa kemi shkuar duke u zgjeruar në vitin e dytë”, thotë zonja Cahani.
Një turist anglez e ka përshkruar më së miri mikpritjen që ka gjetur në kamp, por edhe përjetimin e tij në Kosovë.
“Mendimi im për Kosovën është jashtëzakonisht pozitiv. U mahnita nga mikpritja dhe ngrohtësia. Që nga momenti kur kalova kufirin, mbeta i impresionuar se sa miqësorë dhe mikpritës ishin të gjithë. Kam kaluar një kohë fantastike. Patjetër do të kthehem përsëri. Kam shumë vende për të vizituar. Do të shkoj nga jugu, por pa dyshim që do të kthehem sërish”, tha turisti anglez.
Ndërsa një turist italian mbeti i mahnitur nga bukuria e kampingut tek Ura e Fshajtë, duke e përshkruar si një vend të mrekullueshëm ku mund të bëhen shumë gjëra.
“Është një vend i mrekullueshëm. Mund të bësh një pushim të mrekullueshëm. Natyrë fantastike, e pastër, madje mund të shkoni edhe tek ura. Pronari ishte shumë mikpritës. E rekomandoj fuqishëm këtë kamping”, shtoi italiani.
Në anën tjetër, një vizitor gjerman potencoi se ky kamping e impresionon më së shumti sepse është natyral dhe natyra ka mbetur ashtu siç është.
“Ky është një kamping i mrekullueshëm në Kosovë. Është për të ardhur keq që ka pak kampingje të tilla në Kosovë. Gjakova është një destinacion ku njerëzit nuk duhet të vijnë vetëm për shkak të pazarit, pasi këtu gjejnë një vendpushim shumë të mirë buzë lumit”, deklaroi turisti gjerman.
Zotëri Cahani ka treguar në detaje se si i mirëpresin turistët nga e mbarë bota, duke potencuar se që në hyrje ata i bëjnë të ndihen si në shtëpinë e tyre.
“Që në hyrje, ne i mirëpresim dhe maksimumin tonë e bëjmë që të gjithë turistët, pa dallim, të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe u them që ta zgjedhin që në start vendin ku dëshirojnë të qëndrojnë”, ka thënë zotëri Cahani.