
Duncan: Dhuna e ushtruar pas luftës ishte hakmarrje për mizoritë serbe, këto ndodhin zakonisht në fund
Dëshmitari John Duncan tha se në Kosovë kishte shumë dhunë në qershor të vitit 1999 dhe ka parë shtëpi teksa digjeshin.
“Fillimisht, dhuna ka mbizotëruar nga konflikti - ka prejardhjen nga konflikti. Kjo ka qenë një dhunë që kishte disa javë që ka filluar dhe shtëpitë që po digjeshin qartazi ishin shtëpi serbe, ose shtëpi që dikur i kishin serbët”, tha ai.
Kur u pyet se kush po i bënte këto akte dhune, Duncani tha se është e vështirë ta thotë, sepse nuk ka parë trupa të armatosur që ta bëjnë këtë.
“Është e vështirë ta them sepse unë nuk kam parë trupa të armatosur ta bënin këtë, thjesht persona të zakonshëm të paarmatosur. (Kjo ishte si një lloj) shpagim për të marrë hak kur e di se çfarë ka ndodhur. Edhe unë kam marrë raporte nga OJQ dhe organizata të tjera dhe e sheh me sytë e tu. Ju mund ta imagjinoni se pse e bëjnë këtë personat. Është përtej besës dhe nderit. Këto ndodhin zakonisht në fund të një lufte”, tha ai.
Dëshmitari nënvizoi se dhuna e ushtruar ishte fillimisht nga serbët, e që shqiptarët po hakmerreshin.
“(Shpagim) për mizoritë që kanë pësuar. Mizoritë që kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhuna fillimisht ishte ushtruar nga serbët dhe dhuna që e pash unë atje po bëhej prej shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.
Duncani theksoi se këta persona ishin njerëz të zakonshëm dhe kjo dhunë e ushtruar nuk ishte e organizuar. Ndërsa, mohoi se ka parë ndonjë ushtar të UÇK-së të merrte pjesë në këso veprime.
Veç kësaj, dëshmitarit iu lexua edhe një deklaratë e Wesley Clark, e dhënë më 14 gusht 1999, i cili thoshte se nuk ka fakte që pas dhunës së ushtruar janë UÇK-ja. Përveç kësaj, ai kishte thënë se lideri i tyre ka qenë shumë bashkëpunues me ata dhe kanë bërë thirrje për ndërprerje të dhunës.
Duncani tha se Clarku është udhëzuar nga vetë ai për këtë deklaratë dhe se pikëpamjet i kanë të njëjta sa i përket këtij aspekti. /BD