
Basha për vdekjen e Enver Petrovcit: Një nga figurat më të shquara të kulturës sonë, i lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Kryeparlamentari Dimal Basha ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit, Enver Petrovci.
Ai shkruan se Kosova dhe mbarë arti shqiptar humbi një nga figurat më të shquara të kulturës sonë.
“Me dhembje të thellë pranova lajmin për largimin në amshim të aktorit të mirënjohur, Enver Petrovci. Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza. Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore. Me këtë rast, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komunitetit artistik. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, shkroi Basha.