Dëshmia e britanikut John Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së

Dëshmia e britanikut John Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së

Aktuale September 22, 2025 - 12:55

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.

Në fund të viteve ’90, Duncani ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij - në çka ai u përgjigj me “po”.

Ai tha se UÇK-ja - udhëheqës politik i së cilës ishte Thaçi - kishte përbërje heterogjene, "me njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme".

"Ne e quanim atë 'ushtria e atyre që nuk kishin asgjë'. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta. Motivi i tyre nuk ishte i njëjtë".

"Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person", rrëfeu Duncani.

Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave.

"Kjo ishte vështirësia me të cilën përballeshim atje", tha Duncani, sepse "nuk kishin strukturë hierarkike - ishin të organizuar ndryshe".

Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, duke përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

"Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë", tha Duncani.

I pyetur nga mbrojtja nëse mendon se Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, ose kryekomandant, ai tha “jo”.

"... sepse mënyra se si silleshin [komandantët] me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin si krah politik, që kishte një lloj ndikimi, por jo si dikush që kishte kompetenca ushtarake".