Uji nga Badoci vazhdon të jetë i papijshëm, KRU “Prishtina”: As vlimi s’e eliminon manganin
Foto: Laura Hasani

Uji nga Badoci vazhdon të jetë i papijshëm, KRU “Prishtina”: As vlimi s’e eliminon manganin

Aktuale September 22, 2025 - 12:37

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka ripërsëritur thirrjen që qytetarët, të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit, të mos e përdorin ujin për pije për shkak të gjendjes aktuale me fenomenin “Mangan”.

Në njoftim thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka theksuar se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.

“Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm, si dhe bashkëpunimin me KRU “Prishtina” për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.

“KRU ‘Prishtina’ SHA ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme: Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, duke përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar”, thuhet më tej në njoftim.

Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” ka thënë se do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.