
Duncan: UÇK-ja nuk më njihte, më duhej një komandant që ata e respektonin
John Stewart Duncan, ish-këshilltar i gjeneralit amerikan Wesley Clark, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, Duncani tregoi për sfidat që kishte hasur gjatë përpjekjeve për të komunikuar me përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, duke theksuar se fillimisht UÇK-ja nuk e njihte fare.
“Mua nuk më njihte asnjë pjesëtar i UÇK-së, as nuk më kishin parë ndonjëherë. Detyra ishte të më dëgjonin, jo të më shihnin. Kur më thanë ‘shko dhe realizo këtë gjë’, unë u thashë se kjo nuk ka për të funksionuar. Unë s’mund të shkoj si një diplomat i panjohur tek UÇK-ja, te një grup personash që po luftonin me lëkurë në bjeshkët e Kosovës”, tha ai.
“Urdhëroni, firmosni këtë, kjo nuk funksionon kështu. Na duhet një komandant ushtarak që të jetë në pararojë, që të angazhohet me ta, të cilin e respektojnë, të cilit ia dinë punën dhe që mund të komunikojë me ta”.
“Unë kisha pëlqimin nga Londra dhe Uashingtoni për të folur për një, në thonjëza, ‘marrëveshje angazhuese’. Por kjo ishte një marrëveshje që të merrnim një zotim prej tyre. Ishte e njëanshme, nuk ishte marrëveshje dypalëshe në kuptimin e mirëfilltë”, tha Duncani.