
Dëshmia e britanikut John Duncan: UÇK-ja kishte përbërje heterogjene
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.
Në fund të viteve ’90, Duncani ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.
Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij - në çka ai u përgjigj me “po”.
Ai tha se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se përbëhej nga njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme.
Informacionet për të tha se i merrte nga burime të ndryshme.
"Së pari, lexoja të gjitha informacionet në internet për 24 orët e fundit lidhur me Kosovën. Më pas dëgjoja lajmet e fundit, BBC-në… shqyrtoja të gjitha kabllogramet diplomatike, shërbimet e monitorimit dhe më pas hyja në takime dhe informoja gjeneralin Clark. Po ashtu, bisedoja edhe me gazetarë dhe organizata joqeveritare për të marrë sa më shumë informacion", tha Duncan, teksa përshkroi, siç u shpreh ai, një ditë të zakonshme pune të asaj kohe.
"Detyrat e mia kryesore ishin t’u jepja këshilla komandantëve ushtarakë lidhur me aspektet politike dhe diplomatike, por edhe t’i udhëzoja për mënyrën e reagimit dhe ndikimin e tyre në operacionet përkatëse", shtoi Duncani.
Ai kishte shërbyer edhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit.
"Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vjet, dhe unë isha vërtet i interesuar të kuptoja se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte baza e detyrës sonë si diplomatë. Ne duhej t’u shpjegonim eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodh brenda saj, si veprojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati - t’ua shpjegojë të gjitha aspektet e një shoqërie eprorëve përkatës", tha Duncani.
Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.