
Dëshmitari i tretë nga mbrojtja e Thaçit nis sot dëshminë në Hagë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku do vazhdojë paraqitja e provave të mbrojtjes me thirrjen e dëshmitarëve në këtë rast të gjykimit.
Kësaj radhe do të dëshmojë një shtetas britanik, i treti në listën e dëshmitarëve të propozuar nga ekipi mbrojtës.
Seanca sot pritet të nisë në orën 9:00 dhe është pjesë e procesit, ku mbrojtja ka paraparë të paraqesë gjithsej 11 dëshmitarë gjatë javëve në vijim.
Këta dëshmitarë synohet të hedhin dritë mbi rolin e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
Ndryshe javën e kaluar mbrojtja e Hashim Thaçit filloi paraqitjen e provave të saj me thirrjen e dëshmitarëve në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të hënën, më 15 shtator, filloi dhënien e dëshmisë James Rubin, dëshmitari i parë i thirrur nga Mbrojtja. Rubin vazhdoi dëshminë të martën dhe të mërkurën, kur iu bënë pyetje nga Mbrojta dhe nga Prokuroria. Gjykatësit e Trupit Gjykues gjithashtu i bënë pyetje dëshmitarit.
Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000. Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.
Po ashtu javën e kaluar edhe, dëshmitari i dytë, Pawl Uilliams dëshmoi para trupit gjykues. Williams, i prezantuar nga Mbrojtja si këshilltar ligjor pro bono për delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë në shkurt dhe mars 1999.
DHSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.