
Ngërçi politik qendror, sfidë për votën në zgjedhjet e 12 tetorit
Ndërsa afrohen zgjedhjet vendore të 12 tetorit, situata aktuale politike në vend, veçanërisht ngërçi institucional që zgjat prej më shumë se gjashtë muajsh dhe mungesa e konstituimit të Kuvendit, kanë ngritur dilema lidhur me përgatitjet për zgjedhje si dhe ndikimin që kjo krizë mund të ushtrojë mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në votim.
Përgatitjet për zgjedhjet lokale, pa vonesa
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pa vonesa.
Kështu ka bërë të ditur për klankosova.tv, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili shton se pjesa më e madhe e aktiviteteve që lidhen me votuesit dhe subjektet politike janë përmbyllur.
”Në përfundim e sipër është shtypja e fletëvotimeve, ndërkaq KQZ është në pritje të aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta që do të votojnë përmes ekipeve mobile”.
Ndikimi i moskonstituimit të Kuvendit në pjesëmarrjen e votuesve në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit
Megjithatë, situata e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, pra bllokada e institucioneve për më shumë se 6 muaj mund të ketë ndikim në pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje.
Analisti politik, Arbnor Sadiku për klankosova.tv, parashikon një ulje të numrit të votuesve, duke theksuar se ky ngërç veç uljes së pjesëmarrjes, mund të motivojë disa qytetarë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes votës.
Sadiku thekson se, përkundër mundësisë për një bojkot, disa votues mund të mobilizohen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj politikës qendrore, duke e parë votën si një mundësi për të shprehur kritika dhe pritshmëri për nivelin lokal.
”Besoj, se numri votueseve do jetë më i ulët, kësaj radhe sesa herëve tjera. Para së gjithash duhet cekur se ngërçi politik mund të ulë pjesëmarrjen e qytetarëve, por gjithashtu mund të motivojë disa të shprehin pakënaqësinë përmes votës. Shumë votues të zhgënjyer mund të bojkotojnë, por të tjerët mund të mobilizohen. Vota lokale shpesh shihet në ketë kontekst si një mënyrë për të treguar pakënaqësi ndaj politikës qendrore, duke kombinuar kritika dhe pritshmëri për komunën”, tha Sadiku.
Sadiku shton se në rrethana objektive e pëson pushteti, por sipas tij, Kosova është vend tranzicional dhe mund të jetë ‘ose, ose’.
Ndërsa Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se situata e moskonstituimit të Kuvendit dhe dështimi për të formuar Qeverinë nuk mund të shihen si zhvillime të pavarura nga konteksti i zgjedhjeve lokale.
Sipas tij, përvojat e mëparshme tregojnë se, pavarësisht krizave politike në nivel qendror, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka mbetur relativisht stabile, për shkak të afërsisë së qytetarëve me nivelin lokal të pushtetit dhe çështjeve konkrete që prekin jetën e përditshme.
Cakolli vë në dukje se, ndonëse nuk ka një lidhje formale direkte mes krizës politike dhe zgjedhjeve lokale, klima politike në një demokraci ka ndikim të përgjithshëm në proceset zgjedhore.
Në anën tjetër, përfaqësuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, për Klankosova.tv, tha se situata e moskonstituimit të Kuvendit dhe dështimi për të formuar Qeverinë nuk mund të trajtohen si zhvillime të pavarura nga konteksti i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Ai shton se nga përvojat e mëhershme, përkundër krizave politike në nivel qendror në Kosovë, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka mbetur relativisht stabile.
Dhe, kjo sipas tij ndodh për shkak të afërsisë së qytetarit me nivelin lokal të pushtetit dhe faktit që gara zhvillohet mbi çështje konkrete që prekin jetën e përditshme.
Por, Cakolli nënvizon se ambienti i krijuar në nivelin e lartë nuk ndikon, ngase sipas tij, ai formëson pritshmëritë dhe nivelin e seriozitetit që votuesi ua atribuon proceseve zgjedhore në përgjithësi.
”Është e vërtetë që në nivel formal nuk ka ndërthurje direkte kompetencash, por është po aq e vërtetë që klima politike në një demokraci është unike dhe përfshin gjithë sistemin. Qytetarët zakonisht nuk i ndajnë perceptimet për zgjedhjet qendrore dhe ato lokale, por më shumë i përjetojnë përmes perceptimit të përgjithshëm mbi funksionimin (apo mosfunksionimin) e institucioneve”.
Nga IKD theksuan ndër tjera se zgjedhjet lokale janë pjesë përbërëse e një ekosistemi politik, dhe si të tilla, pasiguria në nivel qendror ka efekt të drejtpërdrejtë.
Edhe nëse jo në pjesëmarrje, në mënyrën se si qytetarët i kuptojnë proceset politike.
”Kur bllokimi institucional zgjatet dhe shndërrohet në një gjendje normale, kjo rrezikon të normalizojë edhe mosbesimin. Në këtë klimë, votuesit mund të mos e shohin më procesin zgjedhor si instrument ndryshimi, por si një formalitet që prodhon të njëjtin cikël mosfunksionaliteti”.
Sipas këtij instituti, ky perceptim mund të mos ulë ndjeshëm daljen në zgjedhje lokale, por ndikon qartë në disponimin politik, në frymën e garës dhe në kapacitetin e fushatave për të mobilizuar qytetarët në mënyrë substanciale.