
Kongresmeni amerikan propozon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kongresmeni amerikan Brian Mast, njëkohësisht kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, ka paraqitur një amendament në Kongres që synon të forcojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë qartësisht anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas organizatës “Albanians for America”, amendamenti i paraqitur nga republikani nga Florida përfaqëson një hap domethënës në përcaktimin e prioriteteve strategjike të SHBA-së në rajon.
“Ky hap historik njeh rëndësinë strategjike të rajonit dhe përcakton prioritetet e qarta të politikës së SHBA-së”, thuhet në njoftim.
Në dokumentin e propozuar kërkohet:
Mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO
Presion ndaj Serbisë për të reduktuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën
Ekspozim të bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin në fushat e teknologjisë dhe sigurisë
Zgjerim i sanksioneve ndaj individëve dhe aktorëve që pengojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
SHBA-ja kanë qenë historikisht të përfshira në zgjidhjen e konflikteve në rajon, që nga përfundimi i luftërave të Jugosllavisë në vitet 1990.
Por në një kohë kur ndikimi amerikan në Ballkan po shihet me shqetësim nga vëzhguesit dhe vetë qytetarët e rajonit, ky propozim në Kongres shihet si një sinjal se Washingtoni nuk ka ndërmend të heqë dorë nga roli i tij strategjik në këtë pjesë të Evropës.
Nëse miratohet, amendamenti pritet të forcojë jo vetëm mbështetjen për Kosovën, por edhe të rrisë presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për të rishikuar orientimin e saj gjeopolitik, në një kohë sfidash të reja për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. /euronews