Spiropali, Gërvallës: Do punojmë krah për krah për interesin kombëtar
Foto: Laura Hasani

Spiropali, Gërvallës: Do punojmë krah për krah për interesin kombëtar

Aktuale September 20, 2025 - 18:28

Ministrja e re për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, i është përgjigjur të shtunën me një mesazh falënderimi kryediplomates në detyrë të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schëartz, e cila e uroi publikisht në platformën “X” për emërimin.

Menjëherë pas betimit të kabinetit të ri qeveritar, në një komunikim publik përmes platformës “X”, Gërvalla shprehu besimin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet edhe më tej, duke shërbyer si një shtyllë për avancimin e interesave të përbashkëta kombëtare.

Spiropali, në mesazhin e saj të falënderimit, vlerësoi urimin e Gërvallës si të ndjerë dhe të sinqertë, duke theksuar mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për vizionin e përbashkët që ndajnë dy shtetet.

“Donikë e dashtun, falënderime zemre për urimin e ndjerë!”, shkruan Spiropali në reagimin e saj, duke theksuar se është “thellësisht mirënjohëse për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për vizionin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona motra dhe për mbarë kombin tonë”.

Ajo u shpreh e vendosur për të punuar ngushtë me diplomacinë e Kosovës, në funksion të ndërtimit të një hapësire politike ku fjala ka peshë, besimi ndërton ura dhe dinjiteti kombëtar shndërrohet në energji zhvillimi për rajonin.

“Si gjithmonë, do të jemi krah për krah për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, interesin tonë kombëtar, duke i shërbyer me përkushtim ndërtimit të një hapësire ku fjala ka peshë, ku besimi ndërton ura dhe ku dinjiteti kombëtar shndërrohet në energji zhvillimi për rajonin dhe më gjerë.”-shkruan Spiropali.

Në të njëjtin postim, Gërvalla shprehu edhe mirënjohjen për ish-ministrin Igli Hasani, duke e cilësuar bashkëpunimin me të si të frytshëm dhe korrekt.

Image