
Rama në Lagjen e Muhaxherëve: Kemi bërë rrugë, gjelbërim e renovim të shkollës – një mandat nuk është boll
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është pritur përzemërsisht nga banorët e Lagjes së Muhaxherëve.
Rama ka theksuar se për 4 vite, kanë ndërtuar rrugë të reja, renovim të shkollës, hapësira të gjelbëruara e lidhje të QMF-së me Termokos.
“Gjendemi në Lagjën e Muhaxherëve ku bashkë me ekipin kemi realizu një numër të madh të projekteve për të mirën e qytetarëve, kemi bërë rrugë të reja, renovim te shkollës, kemi lidh QMF-në me Termokos, edhe hapësira të reja të gjelbërta që i japin frymë lagjes”, ka thënë Rama.
I pari i kryeqytetit theksoi se një mandat nuk mjafton. Andaj, u zotua se kërkesat e qytetarëve do t’i përfshijë në planin 4-vjeçar.
“Por një mandat nuk është boll, nuk është i mjaftueshëm për t’i bërë të gjitha, prandaj të gjitha kërkesat që i kishit e që do t’i keni edhe në të ardhmen ne do t’i bëjmë pjesë të programit tonë të ri 4-vjeçar, dhe do t’i trajtojmë në mënyrën më serioze të mundur që të mundësojmë që zhvillimi i Lagjes së Muhaxherëve të jetë më i miri i mundur, i fokusuar në mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë”, tha Rama.
Ai theksoi se veç në këtë formë e transformojnë Prishtinën.
“Dhe kështu e transformojmë Prishtinën në mënyrën më të mirë të mundur, e kthejmë në Prishtinën e cila gjithmonë shkon përtej pritshmërive, në interes të qytetarëve”, tha ai.