
Shtylla “problematike” e Kurtit në marrëdhëniet me SHBA-në
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij është siguruar që partneriteti me SHBA-në të forcohet në tri shtylla, ndërsa pranoi se në njërën prej tyre ka pasur dallime.
Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se Kosova dhe Amerika nuk janë prishur, veçse shpesh po ka dallime në një nga shtyllat që ka për qëllim forcimin e raporteve, e që është ajo diplomatike, kryesisht në raportet e Kosovës me Serbinë dhe strukturat ilegale të saj në vendin tonë, transmeton Zeri.info.
Ai shtoi se në dy shtyllat e tjera, si mbrojtje dhe zhvillim, ka ecje substanciale.
“Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që partneriteti ynë të forcohet në tri shtylla kryesore, diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturat e saj ilegale në Kosovë, përderisa pajtohemi për vlerat, interesa e qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike, megjithëkëtë vështirësi në këtë shtyllë, ka ecje substanciale në dy shtylla tjera, të mbrojtjes dhe zhvillimit”, shtoi Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të, siç thanë, "shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”. /Zëri