
Kurti: Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar sot vendimin e SHBA-së për të pezulluar nisjen e dialogut strategjik me Kosovën.
Kurti tha se kjo ka të bëjë me një dialog, i cili nuk kishte nisur, duke siguruar se Kosova dhe Amerika nuk janë prishur, por kanë disa dallime, transmeton Zeri.info.
“Sa i përket njoftimit nga Ambasada Amerikane javën e kaluar, së pari duam të qartësojmë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit të dialogut strategjik, jo dialogut strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai fajësoi opozitën se po i zmadhojnë në drejtim negativ çdo raport mes Qeverisë dhe SHBA-së, ndonëse pranoi se pranoi se dallimi më i madh me Amerikën është në fushën e diplomacisë, ndërsa po vazhdon normalisht bashkëpunimi në mbrojtje dhe zhvillim.
“Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I sigurojë qytetarët tanë se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës së SHBA-së. Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që partneriteti ynë të forcohet në tri shtylla kryesore, diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturat e saj ilegale në Kosovë, përderisa pajtohemi për vlerat, interesa e qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike, megjithëkëtë vështirësi në këtë shtyllë ka ecje substanciale në dy shtylla tjera, të mbrojtjes dhe zhvillimit”, deklaroi Kurti. /Zëri
