
Ministri bullgar i Mbrojtjes: Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë në NATO
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Bullgarisë dhe Shqipërisë ishte fokusi i vizitës zyrtare në vendin tonë nga ministri i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov, i cili u prit nga homologu i tij në Tiranë, Pirro Vengu.
Në një intervistë për RTSH-në, ministri Zapryanov ka ndarë detaje nga kjo vizitë.
“Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është se Bullgarinë dhe popullin bullgar e keni një aleat të sigurt dhe popull miqësor. Ne jemi gati të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes, për të cilin përgjigjem unë”, deklaroi ministri bullgar.
Ai e vlerësoi kontributin që Shqipëria po jep si anëtare e NATO-s.
“Dua të falënderoj veçanërisht qeverinë shqiptare për kontributin në grupin luftarak shumëkombësh të NATO-s në Bullgari, ku marrin pjesë 10 vende anëtare, me Italinë si shtet-kornizë. Shqipëria ishte ndër vendet e para që ofruan kontribut në këtë grup. Vetëm një javë më parë së bashku me Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s vizitova Novo Selo, ku pashë grupin luftarak shumëkombësh dhe u takova me kontingjentin shqiptar. Jam i impresionuar nga motivimi i të gjithë ushtarakëve, përfshirë shqiptarët, për t’u përgatitur seriozisht, po qe e nevojshme, edhe për të mbrojtur territorin e NATO-s”, u shpreh Zapryanovi.
Ministri theksoi se po punohet për të rritur bashkëpunimin me Shqipërinë si aleate në krahun juglindor të aleancës.
“Jam i impresionuar nga masat e qeverisë shqiptare për zbatimin e vendimeve të NATO-s për forcimin e potencialit industrial, duke investuar në prodhime moderne mbrojtëse. Një zhvillim kyç është prodhimi i dronëve, një mënyrë e re e luftimit modern për përdorimin e pajisjeve të telekomanduara dhe armëve të zgjatura. Ne në Bullgari gjithashtu jemi novatorë në këtë fushë dhe kemi mundësinë të ndajmë përvojën. Vitin e ardhshëm në Bullgari do të mbahet panairi industrial i mbrojtjes Hemus, ku presim me kënaqësi të shohim firma bullgare dhe shqiptare”, tha ministri Zapryanov.
Ndër të tjera, ai theksoi se Bullgaria dhe vendet pjesë të NATO-s duhet të jenë stoike dhe të qarta në qëndrimet ndaj Rusisë për dëmet që ka shkaktuar në Ukrainë.