“Walk of Shame” para Kuvendit, 120 deputetët nuk duhen votuar më asnjëherë

“Walk of Shame” para Kuvendit, 120 deputetët nuk duhen votuar më asnjëherë

Aktuale September 18, 2025 - 13:58

Para hyrjes së Kuvendit të Kosovës janë vendosur në tokë 120 fletë të bardha me emrat e deputetëve të legjislaturës aktuale, mbi të cilët është vizatuar një X me ngjyrë të kuqe dhe mbi ta është vendosur mbishkrimi “Walk of Shame”.

Ky aksion simbolik është organizuar si protestë kundër moskonstituimit të institucioneve dhe bllokadës politike në vend. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Kosova vazhdon të mbetet pa institucione vendimmarrëse, duke krijuar vakuum politik e institucional.

Organizatori i këtij aksioni, Fatmir Bytyqi, tha se tashmë 26 ditë e net është duke qëndruar para Kuvendit të Kosovës.

Ai theksoi se qëllimi i tij është të vetëdijesojë qytetarët për të mos votuar më kurrë deputetët aktualë.

“Unë tash e 26 ditë gjendem para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste për moskonstituim të institucionit më të rëndësishëm të Republikës. Qëllimi im është kryesisht që t’i vetëdijesoj qytetarët që këta deputetë të mos votohen asnjëherë. Ne kemi pasur rastin në vitin 2014 kur Kuvendi nuk ka funksionuar për disa muaj, tash është ky rasti i dytë. Kjo për arsye se në vitin 2014 nuk kemi ditur që t’i ndëshkojmë deputetët për mos punën e tyre, kjo gjendje po na përsëritet edhe tash. Këtë duhet ne qytetarët t’ia edukojmë klasës politike. Këta deputetë nuk guxojmë më asnjëherë t’i votojmë. Nuk është me rëndësi cila parti votohet, secila parti, LDK, PDK, LVV, por këta 120 emra nuk guxojmë që t’i votojmë. Nuk mund të luajnë me institucionet e vendit”, tha ai për EO-në.