Gjykata e Prizrenit nuk i përfill aktgjykimet e saj, vendos kundër 73-vjeçares

Gjykata e Prizrenit nuk i përfill aktgjykimet e saj, vendos kundër 73-vjeçares

Aktuale September 17, 2025 - 20:16

Në ditën e fundit të korrikut të 2017-ës, Nafije Gutaj e paditi nipin e saj.

Selmanin, me të cilin ndan shtëpinë, 73-vjeçarja e çoi në Gjykatë për pasurim të pabazë për mospagimin e energjisë elektrike nga fillimi i atij viti.

Ajo dhe nipi i saj, ndonëse të ndarë nga viti 2016, vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe në kohën kur u bë padija, shtëpia kishte vetëm një njehsor të energjisë elektrike.

Në padinë që u deponua në Gjykatën Themelore në Prizren, Nafija pretendon se nipi i saj nuk i paguante shpenzimet e energjisë elektrike, për pasojë, i gjithë borxhi mbeti barrë e saj.

Për më tepër, në pretendimet e saj, ajo pohonte se i kërkoi nipit që ta ndanin borxhin me marrëveshje, por se ai nuk i ishte përgjigjur.

Për të caktuar dëmin që ia shkaktoi asaj dhe shumën e pasurimit të pabazë, Nafija kërkoi nga Gjykata që të caktohet një ekspert i fushës përkatëse për të bërë një ekspertizë për këtë rast.

Përmes kësaj padie, Nafija kërkonte që Selmani të paguajë menjëherë pjesën nga faturat e energjisë elektrike të cilën e ka harxhuar nga janari i vitit 2017, në lartësinë e caktuar nga eksperti i Energjetikës, me kamatë ligjore nga koha e krijimit të obligimit, si dhe ai të detyrohet të vendosë njehorin elektrik në emrin e tij.