Alija: Mbrojtja e Thaçit synon të rrëzojë përgjegjësinë komanduese përmes dëshmitarëve

Alija: Mbrojtja e Thaçit synon të rrëzojë përgjegjësinë komanduese përmes dëshmitarëve

Aktuale September 17, 2025 - 18:00

Amer Alija nga Fondi i të Drejtës Humanitare ka folur për dëshminë e James Rubin në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai, në një linjë direkte në Five në RTV Dukagjini, ka thënë se dëshmia e Rubin duhet shikuar nga aspekti juridik.

“Ajo çka dëshiron mbrojtja e Hashim Thaçit, apo avokati Luka Misetiq, është që të provojnë se përmes tij dhe këtyre dëshmitarëve të atakohen, të themi, elementet e përgjegjësisë komanduese. Pra, ne e dimë që përgjegjësia komanduese mund t’u atribuohet edhe komandantëve de jure, të cilët janë komandantë të caktuar në aktet juridike në shtetet normale, por gjithashtu edhe komandantëve de facto, të cilët janë komandantë të ndonjë grupacioni apo organizate ushtarake”, ka thënë ai.

Tutje, Alija ka thënë se për dy ditë Luka Misetiq, avokati i Thaçit, ka dashur të tregojë se i akuzuari Thaçi, në rastin konkret, nuk ka pasur kontroll efektiv mbi vartësit e tij.

“Kontrolli efektiv mbi vartësit e tij ka qenë kryesisht i shpërndarë në nivel horizontal te komandantët e zonave, pra jo tek personat që janë të akuzuar. Po ashtu është dëshmuar për një strukturë joefektive brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është një strategji e mbrojtjes, e cila e atakon një prej elementeve të përgjegjësisë komanduese. Elementi tjetër, i cili është atakuar sot edhe përmes dëshmitarit të dytë, ka qenë obligimi i eprorëve për të parandaluar apo sanksionuar vartësit e tyre, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte”.

“Pra, Paul Williams ka dashur të tregojë se gjatë negociatave në Rambuje është ngritur edhe çështja e kompetencave të ndjekjes dhe të sanksionimit të krimeve të luftës. Kjo çështje është negociuar që t’u lihej zyrtarëve të TPNJ-së, prokurorëve dhe personave të tjerë, për t’i hetuar krimet, pasi komandantët ose eprorët mund të jenë edhe komandantë apo eprorë civilë, edhe ushtarakë, dhe ata, kur i kanë këto pozita, kanë edhe disa përgjegjësi – e ato janë që t’i sanksionojnë vartësit e tyre në rast se kanë dëgjuar se ata kanë kryer krime. Sanksionimi i vartësve ndodh në atë mënyrë që komandanti e raporton ndonjë vartës të tij tek organet kompetente, qoftë tek Gjykata Ushtarake apo qoftë tek Gjykatat e Rregullta.”

“Avokati i Thaçit, përmes dëshmitarit të dytë, ka dashur të tregojë se ky element i ka takuar kryesisht TPNJ-së dhe Tribunalit të Hagës, i cili në atë kohë veçse ka ekzistuar dhe i ka hulumtuar krimet që ishin duke ndodhur apo kishin ndodhur në ish-Jugosllavi”, ka thënë Alija.