Williams: Më kërkuan të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse për të siguruar që TPNJ-ja të kishte kompetenca për zbatimin e mandatit të saj

Williams: Më kërkuan të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse për të siguruar që TPNJ-ja të kishte kompetenca për zbatimin e mandatit të saj

Aktuale September 17, 2025 - 12:48

Dëshmitari Paul Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Williamsi tha se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje, si dhe me anëtarë të diasporës kosovare gjatë përgatitjeve të këtyre bisedimeve.

“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përpiloj-përgatisë gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij”, tha dëshmitari.

Ai tha se e ftuan që të japë një prezantim në Rambuje për delegacionin kosovar dhe një ndër pikat ishte çështja e TPNJ-së.

“Gjatë ditës së parë ose të dytë kur isha në godinë aty me ftuan që të japë një prezantim delegacionit të Kosovës për katër pika: dhe pika e katër ishte juridiksioni, aktivitetet, hetimet e aktakuzat e TPNJ-së”, tha Williamsi.

Juristi i së drejtës ndërkombëtare po ashtu tha se delegacioni kosovar iu kërkoi hollësi lidhur me këtë çështje dhe për tema të tjera. Përshtatja e gjuhës në dokumente, sipas tij, iu kërkua nga Fehmi Agani.

Dëshmitari tha se ishte i thirrur që në këtë gjuhën gjithëpërfshirëse ta përfshinte qasjen e mjaftueshme të TPNJ-së për të ushtruar mandatin e saj edhe brenda Kosovës.

“Juridiksioni dhe aftësia e TPNJ-së që të vepronte në mënyrë efektive ishte e rëndësishme për disa arsye; konteksti konkret specifik përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut dhe prokururorja përpiqej të kishte qasje në Kosovë se nuk kishte vizë. Asaj iu mohua viza. Më kujtohet se ka qenë masakra e Reçakut dhe ambasadori William Walker që përdori fjalën ‘krime kundër njerëzimit’. Prokurorja do të hetonte atje, por i thanë që nuk ke vizë”, u shpreh Williamsi.

Williamsi tha që arsyet e tjera që lidhen me mbështetjen e plotë të TPNJ-së, ishte edhe të ruhej një barazi morale.